Një këngë e vjetër popullore flet për një vajzë që pasi kish humbur gjithë ditën tek shtëpia e një djali, kthehet në shtëpi dhe pyet të ëmën “Ta marr (për burrë) moj nëne? Ta marr, (apo) mos ta marr?”
Një shekull më parë vajza thjesht nuk do kishte mundësinë ta bënte këtë pyetje, pasi vendimi merrej nga prindërit. Këta të fundit vendosnin t’i martonin fëmijët nisur nga faktorë ekonomik dhe social. Në një familje patriarkale martesa shërbente për të sjellë në shtëpi një krahë pune (nuse), por edhe për të lindur trashëgimtarët e pasurisë. Në kohëra të tilla jetonin dhëndrat 14-vjeçarë të Çajupit, dhe Marigotë e tyre të bukura dhe (veçanërisht) punëtore.
Praktika të tilla në Evropë mbaruan kur u shfaq Romantizmi si lëvizje kulturore dhe intelektuale. Ashtu si edhe me gjërat e tjera edhe Romantizmi u tërhoq zvarrë për dy shekuj derisa zbarkoi në brigjet shqiptare, sëbashku me komunistët. Për pasojë, njerëzit filluan të martoheshin me dashuri. E meqë dashuria nuk përjetohet familjarisht, vendimi iu la në dorë vajzës.
Por, (ka një por), morali i njeriut të ri komunist vërtet i inkurajonte njerëzit të martoheshin me dashuri, por nuk e pranonte që ata të bënin dashuri pa martesë. Në rrethana të tilla, ku nuk kishte pasuri për të trashëguar (pasi ajo i përkiste shtetit), kur toka e përbashkët u bë kooperativë, dhe kur familja patriarkale filloi të shpërbëhej gradualisht, sevdallinjtë e rinj martoheshin si mënyrë për të provuar mollën e Edenit. Plus kësaj, partia e donte njeriun të lidhur në martesë, sepse kështu instiktet e tij mbaheshin më mirë në zap. Në këtë kohë, një vajze që sapo ishte kthyer natën vonë nga shtëpia e një djali, mamaja (gjysmë e lebetitur) do t’i thoshte “merre mos ju ndaj… se ndryshe na mbylle derën”.
Me rënien e murit të Berlinit, filluan të rrënohen edhe muret e komunizmit shqiptar. Me tullat e rëna shqiptarët u përpoqën të ndërtojnë një shoqëri të re, e cila solli sfida të jashtëzakonshme për martesën. Si fillim, të rinjtë e sotëm nuk e kanë të garantuar punën, por edhe kur e gjejnë është e përkohshme. Në një treg global që ndryshon çdo ditë, i riu është i detyruar të ndryshojë shumë profesione gjatë jetës, madje shpesh të rikthehet sërish në shkollë. Në kushte të tilla një i ri e ka të vështirë të banojë në profesionin dhe rolin e tij në shoqëri, siç ndodhte (bie fjala) në komunizëm. E gjithë kjo paqëndrueshmëri, që shpesh shoqërohet edhe me emigrim të përkohshëm, bie ndesh me natyrën e martesës, si një marrëdhënie e qëndrueshme dhe afatgjatë. Por avantazhon marrëdhënie si bashkëjetesa, që janë më afatshkurtra, dhe pa komplikime ligjore apo ekonomike.
Mirëpo, ndërkohë që martesës i dalin përditë armiq bashkëkohorë, ushtria e argumenteve defensive humbet përditë nga rrathët e saj. Së pari, nëse më parë njerëzit martoheshin për të trashëguar tokën apo për të patur një krahë pune, sot një pjesë e madhe e shoqërisë është larguar nga fshati dhe familja e madhe është shpërbërë.
Vetë lindja e fëmijës, që shpesh është shkak për martesë, sot dekurajohet nga rrethanat socialekonomike. Në shoqëritë agrare primitive bërja e fëmijëve është ndihmesë për ekonominë dhe sigurinë e familjes (krahë pune dhe pushkë). Ndërsa në shoqërinë e sotme ku punësimi është i pasigurtë, ku çmimet e banesave janë në qiellin e shtatë, dhe ku shteti e shesh qytetarin vetëm si lopë që duhet mjelë por jo ushqyer, lindja e një fëmije bëhet një kosto vështirësisht e përballueshme nga të rinjtë.
Së fundmi, sevdaja si arsye ka filluar të mos bind më, pasi martesa ka filluar të shtyhet në kohë dhe morali i shoqërisë ka filluar të ndryshojë. Sot të rinjtë e kanë parë se Edeni është mbushur plot me mollë, të cilat edhe po i kafshove para martese nuk të përze njeri prej kopshti. Për pasojë me të drejtë vajza e sotme mund mos e shtrojë fare pyetjen “a ta marr, mos ta marr”, por “përse duhet ta marr?” ose e thënë ndryshe: Përse duhet të martohemi?
Sigurisht mos e prit përgjigjen e kësaj pyetjeje nga ata që martohen vetëm se shoqëria e ka bërë zakon të bëjë dasëm. Nuk duhet harruar se ndërkohë që strukturat sociale të qoftëlargut kanë rënë, strukturat mendore të ngritura në atë kohë janë shëndoshë e mirë në kokën e komshieve që pyesin “po hë ndonjë lajm?” me atë pamjen që heshturazi duket sikur thotë ‘gjynah gjithë kjo vajzë mbeti në derë”. Ato, dhe shoqet e mamit që thonë “filania u rregullua?” dhe që e kanë fjalën për dikë që ka gjetur burrë, kanë vetëm një përgjigje, dhe është çarmatosëse: “Të la mëndja që pyet? Të martohesh si gjithë bota”.
Ndërsa për filmat e Hollivudit dhe reklamat e Amit, të cilët bëjnë para me thasë nga martesat dhe dasmat, përgjigja është se njerëzit martohen që të jetojnë të lumtur përgjithmonë (fiks aty ku mbyllet filmi). Si të thuash, një farë ngrirje e lumturisë në kohë (ashtu si një foto çasti).
Mirëpo, ndërkohë që është afërmendsh se ata që martohen e duan njëri tjetrin, është mëndjelehtësi të mendosh se martesa është vetëm punë dashurie. Në fakt martesa mund të jetë pikërisht momenti kur dy vetë janë aq të pasigurtë për dashurinë e tyre, sa iu duhet një i tretë (shteti) si garant për të ardhmen. Ja psh ti nuk besoj se ke shkuar ndonjëherë në gjëndje civile për të regjistruar shoqen e ngushtë (kush ta regjistron, edhe po të duash). Kjo sepse ti e di se ditën që ajo do të ta sjellë në majë të hundës, nuk do i hapësh më telefonin, edhe tak-fak i dhe duart. Ndërsa me martesën palët duan një garanci që ata do të rrinë bashkë edhe kur dashuria të shterojë (ja përse mungesa e dashurisë nuk përbën shkak ligjor për divorc). Ata gjithashtu nuk kanë besim se do të arrijnë të merren vesh midis tyre për ndarjen e pasurisë dhe për përgjegjësitë ndaj fëmijëve. Kështuqë, voila, angazhojmë një shtet të tërë ta bëjë këtë punë.
Patjetër që ka edhe arsye praktike për martesë, siç është ngritja e një dige mbrojtëse në rast përmbytjeve emocionale që mund të paraqesë jeta. Kështu, procedurat disavjecare të divorcit i japin çiftit kohë të bollshme për të zbritur me këmbë në tokë nga fiksimi për instruktorët e palestrës, dhe për t’i dhënë përparësi familjes dhe partnerit. Por ama, kjo është larg premtimeve apo betimeve që bëjnë burrat e ulur në gjunjë.
“Po mirë, po ata të tjerët – do më pyesësh ti – ata të dashuruarit që duan të celebrojnë dashurinë, i harrove?” Sigurisht që jo. Unë nuk mund të mohoj se ka të rinj që kanë gjetur ‘njeriun e duhur’, dhe që kur vendosin të martohen kanë më tepër interes për dasmën si ceremoni romantike dhe familjare, se sa për martesën si akt ligjor, apo Kodin e Familjes.
Ata sigurisht që ekzistojnë dhe na bëjnë ne beqarëve të ëndërrojmë, e t’i shohim me urimin “Zot bëj që këta të dy të mos përfundojnë tek katër mijë çiftet shqiptare që divorcohen çdo vit. E mbi të gjitha o Zot, bëj që të mos jenë tek dhjetra (mbase qindra) mijë çifte të tjera që e çojnë martesën (dhe jetën) të mbytur nga ndjenja e fajit për vendimin që kanë marrë”.
Një ndjesi kjo (faji) që ndoshta nuk ndihej kaq shumë atëherë kur e zbuloje nusen natën e dasmës, dhe martesa shihej si çështje fati. Kohë nga ku kemi trashëguar edhe urimin “me një fat të mirë”, apo termin bashkë-short. Por që tani, kur nuk ka as prindër, as parti, as lagje dhe as perëndi që i detyron të martohen me zor, i rren mëndja se përgjegjësia është e tyre, e gjitha e tyre dhe vetëm e tyre. Duke harruar se askush nga ne (me përjashtim të zonjës Meri) nuk e parashikon dot se kush do të jetë mbas 40 vitesh: çfarë do mendojë, çfarë do të dojë dhe çfarë do të pëlqejë. Në fakt studimet tregojnë se gjatë jetës së tij, të pestë trajtat e personalitetit të njeriut ndryshojnë shumë… më shumë seç ai mendon… apo do të kishte dashur.
Kështuqë për ta mbyllur, nëna e vitit 2017, mbase duhet t’i përgjigjet vajzës “Ti e di moj bijë. Lërë se ç’thotë bota, apo se ç’bëjnë shoqet dhe vendos si ta gjykosh më mirë. Por sido që të vendosësh, paç fat… Paç një fat të mirë!”.
*Artikull i botuar ne Revisten JETA