Psikologët prej disa dekadash kanë zbuluar që njeriu e përjeton me dhimbje shfazimin mendor midis asaj që thotë dhe asaj që bën. Mirëpo shqiptari është kalitur 50 vite me mendime të dyfishta Oruelliane, dhe nuk ka hiç dert që tjetër gjë të thotë në publik, tjetër gjë të fsheh në tru, dhe tjetër të bëjë larg syve të tjetrit.

Pjesë e këtij shfazimi janë edhe këto fushatat e fundit publike ku me kuç e me maç më dalin në TV e më thonë që të mos e shes votën.

I shikoj kur më flasin me një solemnitet të denjë për 10 urdhëresat e Perëndisë dhe desh e theva ekranin e televizorit. E meqë televizori mbylli sytë pasi kishte dëgjuar shumë, nuk më mbeti tjetër por të ulem dhe t’ua qëndis një më një, se mbase edhe më kuptojnë.

Si fillim, ata mund të kenë më shumë fantazi se unë, por dua tu them se unë nuk I dalloj dot më partitë nga njëra tjetra. Nga programi ideologjik, jo. Nga demokracia e brendshme, jo. Nga babëzia për të vjedhur, jo e jo. Votova Berishën se më kishte ardhur në majë të hundës me Nanon, por këta dolën përqafe me njëri tjetrin dhe më thanë që ‘çfarë thuhet në fushatë, mbetet në fushatë’. Votova për Ramën që t’ja hiqja bllokun Metës, por këta më erdhën në pushtet prej krahu. U bëra gati të votoja Bashën që të sillte ‘Republikën e re fringo’, por ai u ul dhe e arnoi atë me Ramën. Tani Metën e kam president, Nanon në stol rezervë, Rama në timon me Bashën tek pedali I gazit. Kështuqë tani I shoh surratet e këtyre që I quajnë ‘klasë politike’ dhe më duket sikur jam tek ‘Ferma e kafshëve’ ku nuk arrin të dallosh kush është derr e kush njeri.

E meqë vota ime nuk ka ndonjë vlerë ideologjike, identitare apo emocionale, thashë ta përdor atë strategjikisht. Kështuqë mendova të votoj për dikë që garanton se nuk do na vrasë përmes bandave, spitaleve, ndotjes, ushqimeve apo plehrave. Mirëpo askush nuk ma ofron këtë garanci, pasi të gjithë janë të kapur nga mafia e plehrave, pesticideve dhe penicilinës.

Më mbeti vetëm ta shes votën sikur të ishte mall. Na tani, mos më bëj sikur habitesh, sepse në këtë vend po shiten e po blihen parti, vënde në listat e partive, deputetë, ministra, kryeministra, media dhe gazetarë. Kështuqë, meqë demokracia është bërë “tavë”, mos më kërko mua të mos përpiqem të “kap pjesën time”. Në fund të fundit ‘peshku qelbet nga koka’ – thotë populli, dhe unë jam qytetar aq I zakonshëm sa dyshoj të jem edhe tek bishti.

E ndërkohë që Beqeve iu ka dalë pushteti me bereqet, unë si qyetar I varfër I këtij shteti mezi shtyj muajin. Të më kërkosh mua që kam një dekadë pa punë dhe 7 fëmijë për të ushqyer, që të refuzoj një vezë të sigurtë sot për një pulë hipotetike mot, ose duhet të jesh dallkauk, ose delenxhi (ose të dyja). Investimet afatgjata dhe të planifikuarit për të ardhmen e largët janë lukse të atyre bukuroshëve që fshijnë djersët me 50 mijëshe, jo të dikujt si unë që nuk e di a do kem bukë nesër. Sa për mua nëse dikush ofron të më paguajë borxhet tek dyqani I lagjes, premtojë një punë për djalin, shkollë për vajzën në Tiranë, apo një vizë për t’ja mbathur nga sytë këmbët, I jap jo votën, por edhe shpirtin.

Pasi më futën në burg për dritat, më morën arkën e perimeve, më zhdepën me gjoba dhe taksa, nuk e di kush e ka më të drejtën morale të më thotë që të mos e shes votën. Por me siguri të plotë të them se politikanët që kanë shitur edhe fundshpinën tek biznesmenët e mëdhenj nuk e kanë këtë të drejtë. Aq më pak e kanë gazetarët dhe shoqëria civile që lëvizin me makina që kushtojnë dy herë sa shtëpia ime. Përpjekja e tyre për të më ndërgjegjësuar mua të mos e shfrytëzoj këtë mundësi, në rastin më të mirë është shenjë e shkëputjes së tyre nga realiteti im. Në rastin më të keq është thjesht hipokrizi.

Me thënë të drejtën, i vetmi shqetësim që kam për momentin është çmimi I votës në treg. Më duket tepër I ulët çmimi prej 50 eurosh që kam dëgjuar vërdallë. Mbrëmë, pasi qeveria më dha kohë të lirë duke na hequr prap dritat, unë fillova të mbllaçisja me mëndje sa duhet të kushtojë vota ime.  Sipas lajmeve, vetëm në vitin 2016 në Shqipëri u prodhuan 3.2 milion kilogram hashash. Çmimi varion nga 200 Euro kilja- në tregun shqiptar – deri në 700 Euro, në Itali. Fët, e fët, e shumëzova totalin me katër vite mandat dhe e pjestova me një milion vota që iu deshën Ramës për të ardhur në pushtet. Më doli që vetëm nga paratë e drogës çmimi për një votë duhet të varionte nga 2500 deri në 9000 euro, dhe më kapërceu fare gjumi. Ashtu çakërqejf, I shtova kësaj shifre edhe paratë që fiton pushteti nga kërdia që bën me kromin, naftën dhe çiçin e qytetarëve – kur bëjnë atë çekupin pas vdekjes. I tronditur siç isha, shtova edhe paratë që fitohen me lejet e ndërtimit, liçencat, konçesionet dhe tenderat e tjerë publik, dhe më doli që ne si familje mund të bënim nja 50 mijë Euro nëse e shesim votën me çmim të arsyeshëm. Kështuqë ti tani ma kupton hallin…

Një mik më tha që të mos luaj me zjarrin se Basha me Ramën e kanë bërë vepër penale shitjen e votës. “Po shite votën I thua burgut: Hapu!” – më tha. “Ska problem” – I thashë unë – “Me 50 mijë Euro zotëria bleu një anëtare të gjykatës së lartë, e jo më gjyqtarët e thjeshtë. Ka para për të tërë”.

Kështuqë meqë zgjedhjet janë këtë të dielë thashë të të njoftojë, se ku I dihet? Mbase ti dëgjon ndonjë parti që ka dalë andej vërdallë për të blerë vota. Thuaji siç të thashë, se e dijnë vetë ata ku të më gjejnë. Te lloto përballë klubit ku isha herën e fundit. Vetëm thuaji që këtë herë jam me mendje  t’keqe. Nuk e shes më votën për një çapë bukë…

*Publikuar ne Gazeten Mapo, Qershor 2017