Nëse nuk je një nga prindërit që kanë dërguar fëmijët jashtë, dhe pavarësisht se sa të dhemb shpirti nga malli, lutesh që ata të mos kthehen më kurrë mbrapsh, sepse ke frikë që në shtëpinë e tyre nuk kanë më të ardhme, mos dil nesër në protestë.
Nëse nuk je emigrant që ke ikur në fund të botës për të gjetur thjesht një punë, por të vjen zor sa herë dëgjon në mediat ndëkombëtare se qeveria jote është bërë njësh me kriminelë dhe trafikantë droge, mos eja nesër në protestë.
Nëse nuk ke udhëtuar nga Shkupi, Podgorica apo Prishtina, sepse biletat në aeroportin e vendit tënd kushtojnë sa frëngu pulën, ngaqë kryeministrat e korruptuar mbajnë gjallë një monopol, nuk ke pse del nesër në protestë.
Nëse për 28 vite, vit pas viti, nuk ke shpresuar se Shqipëria do bëhet, në mos si gjithë Evropa, të paktën një vend i denjë për të jetuar, ndërkohë që shikon se si hajdutët në pushtet e afrojnë gjithnjë e më shumë me diktaturat Afrikane, mos dil nesër në protestë.
Nëse nuk je punonjës fabrike që punon në kushte mesjetare, ku Kodi i Punës dhe të drejtat e njeriut janë vetëm përalla të bukura, pasi nuk ke sindikatë të të mbrojë, teksa kryeministrit tallet, më mirë mos eja nesër në protestë.
Nëse me kursimet e emigracionit nuk ke ndërtuar një pronë, të cilën shteti ta prish sipas tekave të pushtetit, mos dil nesër në protestë.
Nëse nuk je biznesmen në prag falimenti vetëm se ata që kanë pushtetin përdorin shtetin si tanks për të krijuar monopole, ndërkohe që ty të zhdepin me gjoba, madje të fusin edhe në burg, çfarë do bësh nesër në protestë?
Nëse nuk je student që shkatërron nervat jo në bibliotekë por në call center, për të përballuar tarifat më te larta se Franca dhe Gjermania, për një shkollim me cilësi mbase më të keqe edhe se Maqedonia, mos dil nesër në protestë.
Nëse nuk je punonjës administrate, mësues apo pedagog, që drejtohesh nga një shef që nuk ka as gjysmën e shkollimit tënd, por që skërmit dhëmbët jo pse ti nuk bën punën tënde, por pse nuk punon për interesat e tij dhe shefit të tij, nuk ke pse të dalësh nesër në protestë.
Nëse nuk je gazetar që ke ëndërruar të bësh punë investigative, si idhujt që kishe kur ishe student, por ke përfunduar në një qoshe duke u paguar për të mos thënë të vërtetën, nga një pronar që duhet të ishte në burg dhe jo në redaksi, mos dil nesër në protestë.
Nëse beson që je vetëm një mizë e pafuqishme përpara përbindëshave që kanë shtënë në dorë pasurinë e përbashkët dhe i mëson fëmijët e tu që të ulin kokën përballë skllavopronarëve të rinj, mund të mos dalësh nesër në protestë.
Nëse ke frikë të ngresh zërin apo të klithësh kur kur shikon se si jo vetëm të zhvasin por edhe të vrasin fëmijët ngadalë përmes kontaminimit të ujit, ajrit dhe ushqimeve, ti nuk ke çfarë bën nesër në protestë.
Nëse mendon se kjo situatë zgjidhet thjesht me zëvendësimin e Ramës me Bashën, apo me Metën, të lutem mos eja nesër në protestë.
Nëse nuk e ke problem të jesh i tallur dhe përqeshur nga llumi i shoqërisë që pasi është ngritur në majën e shtetit ka ngritur vila me paratë e tua, ti nuk duhesh në protestën e nesërme.
Në të kundërt, nesër në orën 5 pm përballë kryeministrisë, eja bëhu bashkë me njerëzit e lirë, për të shenjuar ndryshimin e këtij sistemi. Eja të bëhemi bashkë, jo vetëm për të vrarë frikën e për të refuzuar atë që na ofrojnë politikanët e vjetër, por mbi të gjitha për të artikuluar zgjidhje, e për të ndezur shpresë.
*Botuar me 27.12.2018